Një ditë, një njeri që e njihte mjaft mirë jetën, i kishte thënë një shurdhi, se e kishte fqinjin e tij shumë të sëmurë, andaj duhej medoemos që të shkonte për t’i bërë një vizitë fqinjit të vet.
- Ç’mund t’i them unë atij, kur nga veshët nuk dëgjoj kurrfarë gjëje. Pale nëse është shumë i sëmurë. Ai do të fillojë të flasë me zë tejet të ulët, e unë nuk do të kuptoj dot asgjë, – iu përgjigj shurdhi i gjorë.
Ndërkohë e kishte vendosur që do të shkonte për vizitë tek fqinji i tij.
Teksa shkonte, me vete, përsëriste pa reshtur, këto fjalë:
- E marr me mend prej lëvizjeve të gojës së fqinjit se ç’do të më thotë. Unë do t’i them “Si je o miku im që po vuan kaq shumë?”, dhe me shumë mundësi ai do të më përgjigjet, “mirë” ose “çka”; atëherë unë i përgjigjem “Shyqyr Zotit!”. Mandej e pyes se ç’ka ngrënë?, ndërsa ai mund të më thotë, “Kam ngrënë komposto.” ose “Kam ngrënë vetëm supë thjerrëze”; “Të bëftë mirë”, do t’i përgjigjem unë. Pastaj do ta pyes se cili doktor vjen për ta vizituar, dhe meqenëse e marr me mend përgjigjen që ai do të më japë, do ta përgëzoj duke i thënë se ku shkel ai doktor ka veç shërim, se e ka këmbën të mbarë. “E kemi provuar edhe ne, kudo që ka shkelur ai doktor janë shëruar të gjithë të sëmurët. Janë shëruar të gjithë pa përjashtim”, do t’i them.
Më në fund, shurdhi mbërriti në shtëpinë e të sëmurit me gjithë këto mendime në kokë. Me të hyrë në derë, filloi të bënte pyetjet që kishte planifikuar të pyeste, duke iu përgjigjur fije e për pe po ashtu siç e kishte vendosur në krye.
- Si je miku im? – e pyeti ai të sëmurin.
- Po vdes, mos më pyet, – ia ktheu komshiu pa pikën e fuqisë.
- Shyqyr Zotit! – vazhdoi shurdhi pa kuptuar asgjë nga fjalët e fqinjit.
I sëmuri u prek jashtëzakonisht shumë prej kësaj sjelljeje të pahijshme e të papritur që tregoi komshiu i tij.
- Ç’është ky shyqyr? Me një fjalë, ky më dashka që keqen, – mendoi me vete.
Ndërsa shurdhi, që nuk dëgjoi asgjë prej gjëje nga ato çka komshiu i tij kishte shprehur, vazhdoi të pyeste:
- Po për të ngrënë, ç’ke ngrënë?
- Helm kam ngrënë, – ia ktheu ai tërë nerva.
Ndërsa burri tjetër, që nuk e dëgjoi këtë përgjigje të mikut të tij, ia ktheu:
- T’ju ketë bërë mirë!
Me të dëgjuar këto fjalë, i sëmuri u përkeqësua akoma edhe më shumë. Mandej, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, burri që nuk dëgjonte vazhdoi me pyetjen e tij të radhës:
- Cili doktor ka ardhur për të të kontrolluar?
- Azraili më vjen, ç’të duhet ty? Pa ngrihu, njëherë, ik e shih punët e tua, – ia ktheu i sëmuri duke thirrur me zë të lartë.
- Duhet të gëzohesh, ai doktor është shumë i mirë, – ia ktheu shurdhi si pa të keq.
Tani çdo gjë kishte arritur kulmin për burrin e sëmurë.
– Ky qenka armik e kaluar armikut, – kishte filluar të mendonte ai me vete.
Ndërsa burri që nuk dëgjonte, ishte i pa ditur për ato çfarë ishin folur deri më tani. U largua i lumtur me idenë se kishte kryer një detyrë shumë të rëndësishme, siç është ajo e vizitës ndaj fqinjit të sëmurë.
“Nuk mjafton që fjalët t’i kuptojë vetëm veshi si shqisë. Mbi të gjitha, e rëndësishme është që disa gjëra të kuptohen nëpërmjet veshit të shpirtit, që është i aftë të dëgjojë edhe nëpër skutat më të fshehta.”
Kategoria: Tregime dhe Urtësi